SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE NATALITETI

           

  ( Shqiptarët në Mal te Zi kanë natalitetin më të ultë ne krahasim me pjesët tjera  të popullit shqiptar ne Ballkan )


        Sipas regjistrimeve zyrtare të vitit 2003 në Mal te Zi jetojnë 31,163 shqiptarë ose 5.03% e popullsisë së pergjithshme, pa llogaritur shqiptarët në  botën e jashtme.Kurse,sipas regjistrimeve te vitit 1991 në ketë republikë kishte 40,880 shqiptarë (6.64%).Do të thotë se për një periudhë 12 vjeçare kemi një rënie të popullsisë shqiptare në vend,prej 9,717 banorë ose zbritje prej 1.61%, në numrin e  popullsisë së përgjithshme në Malit te Zi.
       S’ka dyshim qe rol primar në  rënien e përqindjes së numrit të shqiptareve në Mal te Zi ka luajtur emigrimi ,sidomos gjatë dekades së fundit te shekullit njëzet, për shkaqe tashme te njohura. Por emigrimi nuk ka qenë karakteristike e lëvizjeve demografike vetëm të kësaj pjese të  popullit shqiptar( pra e shqiptarëve në Mal të Zi), por ka qenë dukuri e gjithë popullit shqiptar në Ballkan.Siç dihet, ne fillim te viteve 90-ta , ne Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare në Maqedoni por edhe në Luginën e Preshevës, ka pasur gjithashtu emigrime të popullsisë shqiptare me permasa të medha, por megjithate gjatë këtyre dy dekadave te fundit ka ardhur deri te ripërtrirja (riprodhimi) i popullsisë,kurse në trojet shqiptare në Mal të Zi, fatkeqesisht,ka ardhur deri te tkurrja e popullsisë shqiptare mu për shkak te shkallës së ultë të natalitetit.Dhe kjo shkallë e ultë e natalitetit mund të jetë dhe jo aq e rëndësishme për shtetet tanë amë, Shqiperinë dhe Kosovën dhe në njëfarë mase edhe për shqiptarët në Maqedoni (të cilët përbëjnë rreth një të tretës së popullsisë së këtij shteti) , sa mund të jetë i rëndësishëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe shqiptarët në  Mal të Zi, të cilëve u kërcënohet asimilimi.
       Duke mos u lëshuar në analizat e shkaqeve të natalitetit të ultë të cilët mund të jenë  të natyrës sociologjike, psikologjike,të ekonomisë familjare etj., një fakt është i pamohueshëm, se faktori demografik është faktor i rëndësishëm (shpesheherë edhe vendimtar) në përcaktimin e pozicionit politik të çdo populli, pra, edhe të shqiptarëve në  Mal të Zi.Nëse shqiptaret ne Mal të Zi dëshirojnë të jenë  faktor përcaktues në këtë shtet të vogël të Ballkanit, duhen medeomos të angazhohen në ngritjen e natalitetit.Përndryshe, nëse vazhdohet me këtë trend të ulët të lindshmërisë, ka rrezik që në regjistrimet e ardhshme te popullsisë në Mal të Zi,përqindja e shqiptarëve të bien nën 5% , çka do të thotë se mund të vijë deri te degradimi i statusit të shqiptarëve nga statusi i “popullit pakicë” që ata gëzojnë sot, ne statusin e një “grupi minoriitar”, pasi që pesëpërqindshi është numër i rëndësishëm kur është në pyetje çështja  e përcaktimit të të drejtave të një populli pakicë, duke përfshirë edhe numrin e përfaqësuesve në parlament.
       Në një shtet me vlera të vërteta demokratike, qeveria përkujdeset për qytetarët e vet dhe është në gjendje që përmes stimulimeve të ndryshme ekonomike të ndikojë në rritjen e popullsisë (keto janë praktika dhe metoda te njohura në disa vende te botës) .
      Në rastin e shqiptarëve në  Mal të Zi, do të ishte naivitet që të pritet nga qeveria e këtij vendi që të angazhohet për rritjen e numrit të shqiptarëve në  këtë shtet ,aq më tepër kur faktet tregojnë që kjo qeveri angazhohet për të kundërtën, pra për zvogëlimin, asimilimin dhe ç'kombëtarizimin e tyre.
      Prandaj mbetet që partitë nacionale shqiptare ,si subjekte të vetme që do të duheshin të përfaqësonin interesat e shqiptarëve në  Mal të Zi, që çështja e rritjes së natalitetit të mos konsiderohet si temë tabu, por të bëhen fushata të ndryshme me qëllim të ndërgjegjësimit të  popullsisë lidhur më rëndësinë  e kësaj çështjeje. Gjithashtu, çështja në fjalë të bëhet pjesë e programeve dhe platformave politike të subjekteve nacionale shqiptare.


Xheladin Zeneli

(Shkrim i marrë nga libri " Diaspora dhe Vendlindja",i po të njëjtit autor,
botuar në vitin 2011)



 

   

Comments

Popular posts from this blog

FJALA E SHIRLY CLOYES DIOGUARDI NË PROMOVIMIN E LIBRIT "DIASPORA DHE VENDLIDJA"

A RESPONSE TO XHELADIN ZENELI'S BOOK "DIASPORA DHE VENDLINDJA"