FJALA E SHIRLY CLOYES DIOGUARDI NË PROMOVIMIN E LIBRIT "DIASPORA DHE VENDLIDJA"

KA DOKUMENTUAR RACIZMIN ANTISHQIPTAR NË MAL TË ZI DHE SHTYPJEN E SHQIPTARËVE Te nderuar miq, Muajin qe shkoi Joe DioGuardi dhe une u ftuam nga Xheladin Zeneli per te marre pjese ne ceremonine e promovimit dhe diskutimit te librit te tij, Diaspora dhe Vendlindja. Zeneli ishte shqiptari i pare i zgjedhur deputet ne Parlamentin e Malit te Zi pas kolapsit te komunizmit me 1990, pozite nga e cila kishte dhene doreheqje vetem nje vit me vone per shkak te politikave diskriminuese malaziase kundrejte shqiptareve. Ne vitin 2003, Zeneli mori pjese ne delegacionin e pare kongresional amerikan ne tokat shqiptare ne Mal te Zi te udhehequr nga Tom Lantos nen patronatin e Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Publikimi i librit te tij na e jep nje mundesi te mire per te rishikuar kerkesat e shqiptareve ne Mal te Zi si dhe historine e pergjigjes se diaspores ndaj ketyre kerkesave. Bashkangjitur po ju percjelle komentet e mia ne lidhje me kete. ---------------------------------------------------------------------------  Fjala në promovimin e librit të Xheladin Zenelit "Diaspora dhe Vendlindja" Nga Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje  të  Ballkanit 5 Nëntor 2011, Bronx, New York, SHBA Është një kënaqësi që jam këtu sonte, dhe dua të falënderoj Xheladin Zenelin që shpenzoi një kohë të konsiderueshme për të shkruar librin e tij, "Diaspora dhe Vendlindja" dhe, si rezultat, të na shtyjë të gjithë neve të rishikojmë gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe rolin e diasporës në reagimin ndaj gjendjes aty. Është e rëndësishme që Xheladini ka dokumentuar racizmin anti-shqiptar në Mal të Zi dhe shtypjen e shqiptarëve, të cilët tani janë më pak se 5 për qind e popullsisë – së pari nga qeveria komuniste dhe më vonë nga qeveria e sapoformuar që maskohej si një demokraci, gjë që e bëri Xheladinin të marrë hapin moral e të japë dorëheqje nga parlamenti në vitin 1991. Siç e dini shumë prej jush, në fund të vitit 2001, unë vendosa që Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane duhej te hynte në Mal të Zi. Ishte e pamundur të bënim udhëtimin më parë, sepse Joe DioGuardi ishte futur në listën e zezë nga Slobodan Millosheviç në qershor të vitit 1990 për të mos u lejuar që të hynte në Jugosllavi, pas udhëtimit të tij në Prishtinë me Kongresistin Tom Lantos. Kjo ndryshoi në qershor të vitit 2001, kur Millosheviqi u akuzua dhe u ekstradua në Hagë, një ekstradim që i dedikova më shumë se dy vjet për ta bërë realitet. Edhe pse Mali i Zi ishte i lidhur ende në Serbi, sepse bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Havier Solana, kërkonte që Mali i Zi dhe Serbia të qëndronin së bashku – unë e dija se, bazuar në atë që ne ishim duke dëgjuar nga anëtarët e bordit të Ligës Qytetare të lindur në Mal të Zi për kushtet e tmerrshme për shqiptarët, ne duhej të shkonim atje para se të ishte tepër vonë. Joe dhe unë hymë në diskutime serioze me anëtarët e bordit nga Mali i Zi, duke përfshirë Gjergj Dedvukaj, Marash Nuculajn, Fero Gjonbalaj, Adem Dukaj, and Arslan Cekaj, në lidhje me krijimin e një delegacion me të ndjerin Kongresistin Tom Lantos. Fillimisht ne pyetëm çdo grup shqiptar në Shtetet e Bashkuara që kishin lidhje në Mal të Zi që të mblidheshin për të marrë pjesë në krijimin dhe financimin e delegacionit. Kjo doli të jetë një gabim i tmerrshëm. Si Primo Levi, analisti i madh i Holokaustit i cili mbijetoi Auschwitzin ka vërejtur në veprën e tij "Të mbyturit dhe të shpëtuarit," se sa më e ashpër shtypja në çdo vend dhe situatë historike, aq më e përhapur gatishmëria për të bashkëpunuar dhe shpesh nga "dëshira dritëshkurtër për çfarëdo fuqie." Dhe kështu është brenda diasporës shqiptare nga Mali i Zi. Brenda disa orëve pas takimit tonë të parë, shumica e njerëzve që ne i njihnim personalisht, morën telefonata nga një organizatë në veçanti duke u përpjekur që ti frikësojë ata për të ndërprerë përfshirjen e tyre me Ligën Qytetare. Pastaj thashetheme të rreme u përhapën se kinse Liga Qytetare donte të mblidhte $50.000 për Kongresistin Lantos, kur ne përpiqeshim të ngritmin fonde për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit që do të përfshinte dymbëdhjetë njerëz. Do të mirrte një vit të tërë për ta zhbërë dëmin e kësaj fushate propagandistike. Përveç anëtarëve të bordit tonë, Xheladin Zeneli (në atë kohë, kryetar i organizatës Ana e Malit) qëndroi me ne, dhe ai u bë pjesë e udhëtimit që ne më në fund e ndërmorëm në verën e vitit 2003. Ne planifikuam një mision faktmbledhës që do të dërgonte Kongresistin Tom Lantos, i pari anëtar i Kongresit të SHBA-ve për vizitë tokave shqiptare në Mali të Zi (me gruan e tij, Annette) në Ulqin, Ana e Malit, Kraja, Tuzi, dhe Plavë-Guci. Ne identifikuam ekspertë në secilin lokacion për të bërë prezantime para Kongresistit Lantos mbi problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi, duke përfshirë konfiskimin e tokës, mungesën e arsimit në gjuhën shqipe, mungesën e kujdesit adekuat shëndetësor, diskriminimin në punësim, një histori të asimilimit të dhunshëm dhe të dëbimit, dhe abuzimet në sistemin e drejtësisë penale. Në proces, ne ekspozuam një sistem i krijuar për të nënshtruar ose për të shpërnglur shqiptarët jashtë vendit, duke filluar me ndryshimin e emrave shqiptarë me ato sllave që në lindje. Ishte e qartë për bordin e Ligës Qytetare, atëherë (dhe ende sot) se nje fushatë e plotë lobimi dhe e marrëdhënieve me publikun ishte e nevojshme për të ndalur Perëndimin nga nxitja dhe përkrahja e iluzionit se Mali i Zi është një demokraci. Unë bëra përpjekjen e parë në këtë çështje duke shkruar dhe më pas duke botuar një raport te Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, me ndihmë për hulumtime nga Xheladini dhe Marash Nuculaj, me titull "Duke ndërkombëtarizuar gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi," dhe pas udhëtimit tonë, unë e pasova atë me artikullin "Mali i Zi: një shtet i aparteidit në zemër të Evropës." Ky artikull bëri që Janusz Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare si dhe Allen Kassof i Projektit për Konflikte Etnike në Universitetin Princeton (më vonë do të mësonim që të dy kishin marrë pagesa nga Mali i Zi për shërbime konsulente) dhe anëtarët e Ambasadës së Malit të Zi në Uashington të bëjnë presion mbi Kongresistin Lantos dhe stafin e tij që të ndalin punën e tyre me Ligën Qytetare, duke thënë se ai "po keqpërdorohej nga një lob shumë i zëshëm ultra-nacionalist." Për fat të mirë Tom Lantosh nuk u bind, sidomos pasi që ai kishte punuar për shumë vite me Joe nga koha kur Joe hyri në Kongresin Amerikan vitin 1985, dhe më vonë me mua, duke filluar në vitin 1995. Ai iu përgjigj presionit duke mbajtur seancën e parë në Kongres me Dana Rohrabacher mbi "Të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi" në tetor të vitit 2003. Në këtë seancë, neve na u lejua që të kishim Anton Lajcaj dhe Nail Draga nga Mali i Zi për të dëshmuar. Ata kishin marrë pjesë në delegacionin tonë, dhe u përkthyen nga Faton Bislimi, i cili kishte shërbyer si përkthyesi ynë në Mal të Zi. Xheladini dhe unë ishim dëshmitarët e tjerë. Liga Qytetare vazhdoi të këmbëngulë në përpjekjet e saja, me gjithë kundërshtimin në rritje nga Mali i Zi dhe bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë dhe përpjekjeve të Perëndimit për të mbajtur Malin e Zi së bashku me Serbinë nga një frikë e gabuar se shpërbërja në vazhdimësi e ish-Jugosllavisë do të hapte derën për pavarësinë e Kosovës . Në vitin 2005, Liga Qytetare solli Dana Rohrabacher në Ulqin për të diskutuar mbi konfiskimin e pasurisë më të vlefshme shqiptare nga qeveria malazeze, dhe në Tuz për një takim strategjie se si të kundërshtohej projektligji i kryeqytetit, që kishte për qëllim të vendoste shumicën shqiptare të territorit të Tuzit brenda dhe nën kontrollin e plotë të Podgoricës. Mali i Zi do të bëhej i pavarur vitin tjetër për shkak të një përqindje të lartë të votave të shqiptarëve, por në vend që t'i shpërblente shqiptarët, qeveria do të shtërngonte edhe më tej lakun. Më 9 shtator 2006, qeveria torturoi, arrestoi, dhe burgosi 14 shqiptarë, përfshirë edhe tre shqiptaro-amerikanë, Kolë Dedvukaj, Rrok Dedvukaj, dhe Sokol Ivanaj. Liga Qytetare do të kalonte tre vitet e ardhshme duke u përpjekur për ti nxjerr ata nga burgu, dhe pastaj një vit tjetër duke punuar me një nga avokatët më të mirë në Londër, i cili në janar te vitit 2010, me kërkesën tonë, ngriti një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtatve të Njeriut në Strasburg kundër Republikës së Malit të Zi. Kjo padi ligjore është ende në pritje në gjykatë, dhe nëpërmjet saj ne shpresojmë që të ofrojme një dritare mbi vuajtjet që shqiptarët durojnë në Mal të Zi dhe për të demonstruar pse pretendimi i Perëndimit se Mali i Zi është një demokraci është më shumë një iluzion se sa realitet. Dhe kështu, ku jemi në fund të vitit 2011? Konfiskimi i tokës po ndodh në Plavë, dhe Kryetari i Bashkisë Nikol Gegaj po ngre flamurin boshnjak në Tuz. (Kryetari i Ulqinit Nazif Cungu me sa duket është duke bërë një punë të mirë, dhe le të shpresojmë që ai vazhdon ta bëjë këtë). Diaspora mbetet e thyer. Udhëheqja në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit kurrë nuk ia kanë shtrirë dorën shqiptarëve në Mal të Zi. Tani janë pesë parti shqiptare në Mal të Zi, çka është pikërisht lloji i realitetit politik të ndarë që duan sllavët për shqiptarët. Dhe këto parti kurrë nuk janë angazhuar në një dialog përmbajtësor me shqiptarët e tjerë dhe komunitetin ndërkombëtar në lidhje me kushtet me të cilat shqiptarët përballen në Mal të Zi dhe hapat që duhet të merren për t'u sjellë barazi shqiptarëve. Në vend të kësaj, objektivi kryesor i elitës politike shqiptare ka qenë mbrojtja dhe ruajtja e pushtetit të tyre të pakët politik në kurriz të popullit shqiptar. Megjithatë, ne ende kemi fuqi. Për shkak se Mali i Zi nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian, vendi është i ndjeshëm ndaj imazheve negative që ka marrë, gjë që e meriton, për trajtimin e shqiptarëve si qytetarë të klasës së dytë e të tretë. Edhe pse shumë pak ka ndryshuar, Malit të Zi ka gjasa që t'i jepet fillimi i negociatave për anëtarësim nga Bashkimi Evropian në mes të vitit 2012. Vetëm një fushate ndërkombëtare e marrëdhënieve me publikun dhe lobuese do të bëjë ndryshime – asi lloj fushate që Liga Qytetare zhvilloi për pavarësinë e Kosovës, një fushatë që kemi zhvilluar me sukses në Uashington me miqtë tanë në Shtëpinë e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-ve, kur shumica e njerëzve menduan se kjo nuk mund të bëhej. Një fushatë ende mund të zhvillohet në emër të shqiptarëve në Mal të Zi, por kjo do të kërkojë përkushtim nga diaspora shqiptaro-amerikane. Një sfidë e suksesshme ndaj dominimit sllav në Mal të Zi mund të duket e pamundur, por çdo arritje vërtetë e madhe në të parë duket të jetë shumë e vështirë, nëse jo e pamundur. Dhe, për këtë arsye, unë besoj se është e rëndësishme të kujtoni Mahatma Gandhin, udhëheqësin e lëvizjes nacionaliste indiane kundër sundimit britanik, kur ai tha se, "Ka pasur tiranë dhe vrasës, dhe për një kohë ata mund të duken të pamposhtur, por në fund ata gjithmonë dështojnë. Një nga mbështetësit më të madh të popullit shqiptar, i ndjeri Kongresisti Tom Lantos, e tha këtë në mënyrën e vet "Tiranët e sotshëm përfundimisht do të hidhen në kazanin e plehërave të historisë."

Comments

Popular posts from this blog

A RESPONSE TO XHELADIN ZENELI'S BOOK "DIASPORA DHE VENDLINDJA"